BALLKANI

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon marrëveshjen me Italinë dhe miraton ndryshimet në Kodin Penal

Marrëveshja parashikon bashkëpunimin Shqipëri-Itali në fushat e kujdesit shëndetësor, energjisë, mjedisit, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e emigracionit, arsimit, inovacionit, diasporën dhe transformimin ekonomik

Fatjon Cuka  | 28.01.2026 - Përdıtësım : 28.01.2026
Kuvendi i Shqipërisë ratifikon marrëveshjen me Italinë dhe miraton ndryshimet në Kodin Penal

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për bashkëpunim në disa fusha dhe ndryshimet në Kodin Penal, raporton Anadolu.

Marrëveshja u ratifikua në seancën parlamentare maratonë që përfundoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, me 85 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë. Marrëveshja do të hyjë në fuqi pas dekretimit nga presidenti Bajram Begaj dhe pas botimit në "Fletoren Zyrtare".

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes është në përputhje me objektivat strategjikë të qeverisë shqiptare për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, avancimin e integrimit evropian, nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e digjital si dhe përfshirjen aktive të diasporës në zhvillimin kombëtar.

Gjithashtu thuhet se në kuadër të këtij bashkëpunimi, palët do të nxisin edhe subjektet e sektorit privat për të gjetur mundësitë e zbatimit të projekteve të ndryshme në fushat e bashkëpunimit ekonomik.

Në relacionin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë thuhet se marrëveshja synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e shërbimeve publike dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në fusha si: kujdesi shëndetësor, mjedisi, energjia, siguria, industria e mbrojtjes, trajtimi i emigracionit të parregullt, arsimi, inovacioni, diaspora, transformimi ekonomik dhe rritja inteligjente.

Gjatë seancës u miratuan edhe ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, ku sipas Ministrisë së Drejtësisë synojnë edhe të demikrinalizojnë shpifjen për gazetarët dhe të forcojnë mbrojtjen ndaj familjes.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Besfort Lamallari theksoi se pas 18 orë seancë plenare miratohet paketa e ndryshimeve në Kodin Penal.

"Ndryshimet e miratura shënojnë një avancim tjetër në përpjekjen tonë të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës, adresimin e shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, kontrollin e territorit, pastrimin e parave, trafikimin e qënieve njerëzore dhe terrorizmit", ka shkruar Lamallari.

Gjithashtu u miratua edhe Projektligji "Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve" dhe disa projektligje të tjera.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın