BALLKANI

Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin “Për barazinë gjinore”, rrëzohet kërkesa për shkarkimin e Begajt

Me propozimet e reja për ndryshime në projektligj, u përcaktua se "gjini" nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat

Fatjon Cuka  | 07.11.2025 - Përdıtësım : 07.11.2025
Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin “Për barazinë gjinore”, rrëzohet kërkesa për shkarkimin e Begajt Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin “Për barazinë gjinore”, pas debateve dhe reagimeve pro dhe kundër tij, raporton Anadolu.

Projektligji u miratua në seancën e sotme parlamentare pas debateve mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe opozitës, me 77 vota pro, 36 kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Me propozimet e reja për ndryshime në projektligj, është përcaktuar se "gjini" nënkupton rolet dhe sjelljet që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.

Ligji shkaktoi debate gjatë seancës parlamentare dhe jashtë saj, ndërkohë që u kundërshtua nga deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD), pasi, sipas tyre, "qëllimi i tij është shkatërrimi i familjes".

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale e ka konsideruar ligjin "një ligj shumë fisnik, plotësisht i përafruar me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin".

Ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke iu drejtuar ambasadorit të Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se "I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë se cila direktivë e BE-së e kërkon një gjë të tillë", deklaratë e cila shkaktoi reagime kundër të deputetëve të partisë në pushtet, Partisë Socialiste.

Sipas autoriteteve shqiptare, ligji "Për barazinë gjinore" ka si qëllim të rregullojë çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore plotësisht dhe në mënyrë efektive, ligjërisht dhe në praktikë.

Gjithashtu theksohet se synon trajtimin e barabartë, pavarësisht përkatësisë gjinore, përmes mbrojtjes, mundësive të barabarta për ushtrimin e të drejtave dhe gëzimin e të mirave dhe shërbimeve, pjesëmarrjes, përfaqësimit dhe ndihmesës në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

Projektligji shkaktoi reagime në Shqipëri, pasi fillimisht përcaktonte gjininë si gjithëpërfshirëse, nen që u kundërshtua nga parti politike opozitare dhe organizata të shoqërisë civile.

Me propozimet e reja për ndryshime në projektligj, u përcaktua se "gjini" nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.

Në lidhje me ligjin në fjalë, sot u zhvillua një protestë nga përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe aktivistë.

Sipas organizatorëve të protestës, projektligji "Për barazinë gjinore" është "projektligj antikombëtar, antifamilje dhe antifëmijë dhe kundër traditës dhe kulturës shqiptare".

Sipas tyre, projektligji lë hapësirë për keqpërdorimin e nocioneve mbi gjininë dhe se është i pazbatueshëm në praktikë.

- Kuvendi voton kundër ngritjes së komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj

Në seancën e sotme Kuvendi votoi kundër ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Partia Demokratike (PD) dorëzoi më 15 tetor 2025 në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj.

Sipas PD-së, kërkesa është bërë për "shkelje të rënda dhe në mënyrë të vazhdueshme të Kushtetutës së Shqipërisë nga Begaj"

Ndër shkeljet e Kushtetutës që pretendonte PD-ja janë dekretimi i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë, dekretimi i ministres virtuale Diella, ndërprerja e mandatit të gjyqtarit kushtetues dhe shkelje të tjera.

Bajram Begaj ka filluar zyrtarisht detyrën e presidentit të Republikës së Shqipërisë më 24 korrik 2022.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın