BALLKANI

Kuvendi i Kosovës voton qeverinë e re të vendit të udhëhequr nga Albin Kurti

Në Kuvendin e Kosovës pro qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti votuan 66 deputetë, 49 deputetë votuan kundër dhe nuk pati asnjë abstenim

Agim Sulaj  | 12.02.2026 - Përdıtësım : 12.02.2026
Kuvendi i Kosovës voton qeverinë e re të vendit të udhëhequr nga Albin Kurti Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash e kanë miratuar në orët e vona të mbrëmjes kabinetin e ri qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, raporton Anadolu.

Në Kuvendin e Kosovës pro qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti votuan 66 deputetë, 49 deputetë votuan kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Kryeministri Kurti paraprakisht shpalosi disa nga punët që ka bërë qeveria e kaluar e udhëhequr nga ai, si dhe disa nga planet e qeverisjes për katër vitet e ardhshme.

Ai tha se këto dy seanca, ajo për formimin e Kuvendit dhe kjo për formimin e qeverisë së re, po mbahen në kohën kur në Hagë po zhvillohen seancat e fundit gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kurti tha se kërkesa e Prokurorisë për dënimin me nga 45 vjet burgim për katër të pandehurit në Hagë është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës që unë drejtoj është i qartë, në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin, kjo është e dokumentuar dhe njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik e historik”, tha Kurti.

Para deputetëve të Legjislaturës së Dhjetë të cilët u betuan pak orë më herët, Kurti po ashtu shpalosi emrat e kabinetit qeveritar:

Zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjfuca; zv/kryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla; zv/kryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka; ministër i Financave, Hekuran Murati; ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti; minsitër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci; ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulzon Jagxhiu; ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia; ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku; ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci; ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani; ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli; ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja; ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha; ministre e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari; ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli; ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq; ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025 në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti siguroi mbi 50 për qind të votave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.