BALLKANI

Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar edhe pas përpjekjes së 44-të

- Nga 101 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 55 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati

Agim Sulaj  | 09.07.2025 - Përdıtësım : 09.07.2025
Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar edhe pas përpjekjes së 44-të

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Kuvendi i Kosovës ka vazhduar serinë e dështimeve për konstituim për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për të proceduar përpara deri në emërimin e kryetarit të ri të këtij institucioni legjislativ, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit "ad-hoc" për votimin e fshehtë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 101 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 55 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati, për të shënuar dështimin e 44-të me radhë në konstituimin e Kuvendit.

"Nuk ka kuorum sërish, për sot ndërpritet seanca, shihemi më 11 korrik në orën 11:00", tha kryesuesi i seancës, Dehari.

Më 28 qershor u zhvillua një takim midis krerëve të partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një konsensusi politik për formimin e institucioneve të reja, por pa rezultate konkrete. Gjithashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim javën e kaluar krerët e partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për hapjen rrugë të formimit të institucioneve të reja.

Pas takimeve me presidenten, krerët e partive Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thanë se barra për formimin e institucioneve i takon partisë së parë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreut të saj Albin Kurti.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın