Kuvendi i Kosovës "pa dritë në fund të tunelit" edhe katër muaj pas zgjedhjeve

Prishtinë
Janë bërë katër muaj që kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë, por, Kuvendi i Kosovës ende ka mbetur "pa dritë në fund të tunelit", duke mos pasur ende një shumicë të nevojshme për konstituimin e tij, proces që do të çonte më pas në hapjen rrugë të formimit të qeverisë së re, raporton Anadolu.
Një pjesë të konsiderueshme të këtij katërmujori e harxhoi procesi i numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri në certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve, më 27 mars 2025.
Rezultati i zgjedhjeve, nuk e ndryshoi radhitjen e partive nga zgjedhjet paraprake, rrjedhimisht, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli e para me 42,3 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e dyta me 20,95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 18,27 për qind, koalicioni AAK-Nisma me 7,06 për qind dhe Lista Serbe me 4,26 për qind.
- Dështime të njëpasnjëshme për konstituim
Që nga 15 prilli kur u mbajt për herë të parë seanca konstituive, përpos legjitimimit të pozitës së deputetëve të Legjislaturës së Nëntë, nuk u arrit të votohej edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, pikë e cila do ta mbyllte procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Që nga kjo datë, çdo 48 orë, në skajshmërinë e lejueshmërisë me Kushtetutën e vendit, deputetët vazhdojnë të mblidhen në sallën plenare të Kuvendit, por pa rezultatin e synuar, 61 vota për emërimin e kryetarit të ri.
Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryetari Albin Kurti ka propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës gruan më të votuar të partisë, Albulena Haxhiun, por, kjo kandidate nuk mori mbështetjen e partive të ish-opozitës, të cilat kërkuan një kandidat/e tjetër, në mënyrë që ta përkrahnin me votën e tyre. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar ndërrimin e kandidates Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje e përkrahur edhe nga disa prej partive të minoriteteve në vend, nuk ka arritur ta votojë Albulena Haxhiun deri më tani me më shumë se 57 vota, apo katër më pak se pragu i zgjedhjes së udhëheqësit të institucionit legjislativ.
- Përpjekjet e pasuksesshme për zhbllokimin e situatës
Gjatë periudhës së mbajtjes së 28 seancave, Lëvizja Vetëvendosje, duke ditur që i mungojnë 61 votat e nevojshme për pozitën e kryeparlamentarit, ka ftuar për konsultim politik partitë tjera, por, atyre iu përgjigj vetëm Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës, Memli Krasniqi, pas takimit me Kurtin tha se nuk kanë lëvizur nga kërkesa për ndryshim të emrit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
Pas këtij takimi pa rezultat me Krasniqin e PDK-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti, e ndryshoi metodën, duke iu drejtuar me një letër/ftesë kreut të LDK-së, për koalicion qeverisës.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se refuzojnë të bashkëqeverisin me Lëvizjen Vetëvendosje, por propozuan një ide të re, një qeveri tranzicionale, e cila do të zgjasë deri në kohën e zgjedhjes së presidentit të ri, vitin e ardhshëm dhe kjo qeveri do të përfshijë gjitha partitë shqiptare të Kuvendit të Kosovës.
Por, as kjo ide nuk gjeti mbështetjen e partive tjera shqiptare, LVV-së, e cila e konsideroi si injorim të vullnetit të qytetarëve këtë ide, ndërsa edhe PDK-ja dhe AAK-ja e kundërshtuan atë.
Pas këtyre përpjekjeve edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me qëllim të zgjidhjes së ngërçit, mblodhi më 15 maj liderët politikë me qëllim të formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Liderët e partive politike e vlerësuan si të nevojshëm dhe konstruktiv takimin me Osmanin, por, nuk pati ndonjë përparim drejt zgjidhjes.
Takime të njëjta u paralajmëruan tutje nga Presidenca, por ato nuk ndodhën.
- Zgjedhjet lokale të tetorit si mundësi për mbajtjen edhe të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare
Më 4 qershor partitë politike pas konsultimit me presidenten Osmani, janë pajtuar që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në njërën prej datave: 5 tetor, 12 tetor ose 19 tetor.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, përmendën mundësinë që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme, si mundësi për zhbllokimin e situatës së krijuar.
Megjithatë, nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se besojnë që zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen ndaras. Sipas tyre, nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, kjo duhet të ndodhë më herët, e jo në tetor kur mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e tretë më e madhe në Kuvend, deklaruan se "mund të ndodhë që të vihet deri tek situata kur zgjedhjet e reja të përgjithshme të jenë zgjidhje" edhe pse, siç deklaruan nga kjo parti, do të ishte shumë e komplikuar për KQZ-në që t'i organizojë ato së bashku me zgjedhjet lokale.
Një tjetër opsion për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të jashtëzakonshme është përmendur edhe koha kur skadon mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani, në prill të vitit të ardhshëm, kur deputetët e Kuvendit duhet më pas ta zgjedhin presidentin e ri.