BALLKANI

Kuvendi i Kosovës nuk e voton qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti

Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë, pro votimit të qeverisë Kurti 3 votuan vetëm 56 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupit multietnik.

Agim Sulaj  | 26.10.2025 - Përdıtësım : 26.10.2025
Kuvendi i Kosovës nuk e voton qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës nuk i kanë dhënë mbështetje kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re, raporton Anadolu.

Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë, pro votimit të qeverisë Kurti 3 votuan vetëm 56 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupit multietnik.

“Me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e Republikës së Kosovës”, bëri të ditur kryetari i Kuvendit Dimal Basha pas dështimit të emërimit të qeverisë së re.

Në seancën e cila u mbajt 193 ditë pas fillimit të seancës së parë plenare të mbajtur më 15 prill 2025, deputetëve paraprakisht iu drejtua Albin Kurti, duke kërkuar që ta votojnë qeverinë e re.

Kurti tha se kanë pasur ofertë të sinqertë për partitë e tjera për bashkëqeverisje dhe shtoi se “sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet”.

“Çdo ditë pa qeveri me kompetenca të plota është një ditë humbje për zhvillimin, për qytetarin dhe për shtetin. Për më tepër, përderisa nuk votohet qeveria e re, kjo nënkupton zgjatje e mandatit të qeverisë në detyrë. Pra, qeveri do të ketë, vetëm se deputetët e kanë të pamundur ta mbikëqyrin dhe të kërkojnë llogari nga një qeveri në detyrë të cilën nuk e kanë votuar si legjislaturë e re”, theksoi Kurti.

Kurit tha se qeveria e udhëhequr nga ai duhet të votohej jo për interes partiak, por për interesin publik dhe shtetëror, për të marrë vendime të menjëhershme, sikurse votimi i projektligjit të buxhetit, rritja e pagave në sektorin publik, rritja e pensioneve, rritja e shtesave për fëmijët si dhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Më 11 tetor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, nënshkroi dekretin me të cilin mandatoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pas kësaj, u bë e qartë se sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, ishte i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

Vendimi u mor pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila me 48 mandate ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.

Pas dështimit të emërimit të qeverisë së re, tani presidentja ka për detyrë që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın