Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet as në përpjekjen e shtatë
Lëvizja Vetëvendosje sërish e ka propozuar për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës për herë të shtatë me radhë, raporton Anadolu.
Që nga 15 prilli, Kuvendi i Kosovës vetëm ka arritur të procedojë betimin e deputetëve dhe ka ndaluar konstituimi i tij te pika e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht, sikurse edhe sot, e ka propozuar për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu.
Haxhiu, nga 109 deputetë të pranishëm në sallë, mori në këtë seancë si zakonisht 57 vota pro, ndërsa kundër ishin 41 dhe 3 abstenuan.
“Konstatoj se deputetja e propozuar për kryetare të Kuvendit nuk i ka marrë votat dhe e ndërpresim seancën, shihemi më 29 prill në orën 10:00”, theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Kryetar i partisë së dytë më të madhe në parlament, Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se krejt kjo po ndodh për shkak të tekeve të Lëvizjes Vetëvendosje për ta mbajtur shtetin peng për shkak të një njeriu, Albulena Haxhiut.
Krasniqi tha se për herë të shtatë nuk u arrit të vendoset vullneti i popullit i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Nëse këta s’e kanë shumicën parlamentare, nuk e kanë të drejtën ta imponojnë kandidatin për Kryetar të Kuvendit me zor”, theksoi Krasniqi.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, deri më tani Albulena Haxhiu ka marrë 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.