BALLKANI

Kuvendi dështon të emërojë presidentin e ri, Kosova drejt zgjedhjeve të reja parlamentare

Kryeparlamentarja Haxhiu bëri thirrje që në seancën të kthehen edhe deputetët që mungojnë, por ata nuk ju përgjigjën kësaj thirrjeje

Agim Sulaj  | 06.03.2026 - Përdıtësım : 06.03.2026
Kuvendi dështon të emërojë presidentin e ri, Kosova drejt zgjedhjeve të reja parlamentare Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës në mungesë të kuorumit të mjaftueshëm apo dy të tretave të deputetëve të pranishëm në sallën e seancës plenare, ka dështuar të emërojë presidentin e ri duke bërë që vendi tani të hyjë në fazën para zgjedhjeve të reja parlamentare, raporton Anadolu.

Në Kuvend ishin të pranishëm 66 deputetë, ndërsa para tyre u prezantuan dy të propozuarit për pozitën e presidentit, që të dy nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përkatësisht Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri thirrje që në seancën të kthehen edhe deputetët që mungojnë, por ata nuk ju përgjigjën kësaj thirrjeje.

Pas prezantimit të kandidatëve Konjufca dhe Kollçaku, kryeparlamentarja Haxhiu tha se sipas Kushtetutës nevojiten të paktën 80 deputetë të jenë të pranishëm në sallë që të procedohet me votimin e presidentit të Kosovës.

Haxhiu bëri të ditur se për shkak të mungesës së deputetëve nuk mund ta vazhdojë seancën.

“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhjet me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk i kemi dy të tretat e deputetëve”, tha ajo.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon sonte në ora 23:59, ndërsa nuk është bërë e qartë nëse do të ketë edhe një përpjekje për votimin e presidentit në minutat e mbetura.

Kuorumi për seancën e presidentit arrihet me 80 deputetë të pranishëm në sallë, ndërsa nëse në dy rundet e para të votimit i propozuari nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton që ai t’i ketë 61 vota apo shumicën e thjeshtë për t’u emëruar president.

Në seancë përpos deputetëve të LVV-së ishin edhe deputetët e Grupit Multietnik, por jo edhe deputetët e opozitës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın