BALLKANI

Kurti: Vrasjet dhe zhdukjet me dhunë, dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

“Përballë këtyre krimeve, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si imperativ moral, juridik dhe historik”, tha Kurti.

Agim Sulaj  | 26.03.2026 - Përdıtësım : 26.03.2026
Kurti: Vrasjet dhe zhdukjet me dhunë, dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës ka përkujtuar viktimat në masakrat në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Padalishtë, Landovicë dhe Gjakovë në 27-vjetorin e tyre, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, kryeministri Kurti përmendi numrin e civilëve të vrarë si dhe të zhdukurit në këto masakra që ndodhën pranverën e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë.

“Sot kujtojmë me dhimbje 243 civilët e vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të Vogël, më 26 mars 1999. Forcat e armatosura të Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, ndërsa dogjën mbi 700 shtëpi, bashkë me institucione fetare e kulturore. Nuk i harrojmë 48 anëtarët e familjes Berisha në Suharekë (trupat e të cilëve u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit), 19 anëtarët e familjes Imeraj në Padalishtë, si dhe 23 të vrarët në Landovicë e gjashtë të vrarët në Gjakovë”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të dyfishtë, fillimisht ndaj së kaluarës, duke dokumentuar dhe kërkuar llogari për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, si dhe ndaj së ardhmes, duke u angazhuar për paqe të qëndrueshme dhe për jetë më të mirë të brezave të rinj.

“Këto vrasje e zhdukje me dhunë janë dëshmi të fuqishme të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Përballë këtyre krimeve, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si imperativ moral, juridik dhe historik”, tha Kurti.

Ai tha se institucionet dhe qytetarët e vendit po angazhohen bashkërisht për Republikën e Kosovës, ashtu siç ishin idealet e dëshmorëve dhe martirëve, dhe ashtu siç janë dëshirat e rinisë e ëndrrat e fëmijëve të Kosovës.

“Me zemrat e mbushura plot dashuri, respekt dhe krenari, përkulemi sot e gjithmonë para kujtimit të të gjithë të vrarëve tanë. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim”, shtoi Kurti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın