Kurti: Vetëm dje Kosova shpenzoi 2.5 milionë euro për import të energjisë elektrike
"Dje kemi paguar import 2 milionë e gjysmë euro. Më tregoni të nderuar deputetë, si t’i paguajmë dhe ku t’i marrim 2 milionë e gjysmë, kjo është çështja", tha kryeministri Kurti

Prishtinë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar rreth paralajmërimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset, raporton Anadolu Agency (AA).
ZRRE në fillim të kësaj jave ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Për këtë situatë shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Kosova ka pasur disa mundësi për të përmirësuar gjendjen e furnizimit gjatë qeverisjeve të kaluara, por e ka lëshuar këtë mundësi duke lënë mënjanë interesimin e kompanive serioze për investim në termocentrale.
Siç tha ajo, energjinë elektrike, për shkak të krizës ndërkombëtare nuk po mundohet ta shtrenjtojë vetëm Kosova por atë e kanë bërë tashmë vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Kusari-Lila tha se Qeveria ka ndërmarrë hapin e vet të parë dhe ka ndarë 75 milionë euro subvencionime për energjinë elektrike për qytetarët në veçanti për ata në nevojë, duke theksuar se “kthimi i bllok tarifave është i paevitueshëm bashkë me kthimin e shprehisë së kursimit”.
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputeti Ferat Shala tha se shtrenjtimi i energjisë elektrike është shqetësim social, ekonomik e politik por që prekë edhe sigurinë nacionale
“Në kohën e pandemisë, në kohën e inflacionit të lartë i cili është më i larti i dy dekadave të fundit, në pikën e sezonit dimëror ZRRE na ofron raportin konsultativ të strukturës tarifore për të gjitha kategoritë e shoqërisë tonë. Ky raport i cili parasheh ngritjen e tarifave në një masë të pamenduar të paparashikuar dhe padëgjuar deri më tani, na ofron rritjen në mënyrë lineare nga 42 për qind e deri në 120 e në disa kategori rreth 200 për qind të ngritjes”, tha Shala.
Ai tha se me gjithë rritjen e energjisë elektrike dhe inflacionin në vend, Qeveria nuk ka paraparë ngritje të pagave për shërbyesit civil, andaj kërkoi që raporti i ZRRE-së të kthehet “në pikën zero”.
Shefi i Grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se kriza energjetike ka rrezik ta sjellë qytetarët e Kosovës në bankrotim total.
Ai tha se me propozimin e ZRRE-së, Kosova paguan 21 euro për 1 orë në kilovat të energjisë elektrike, më shumë se Italia dhe vetëm 1 euro më pak se sa Britania e Madhe.
“A e dini se qytetari i Kosovës paguan katër herë faturën e energjisë elektrike. Njëherë e paguan faturën e KEDS-it, herën e dytë e paguan subvencionin që shteti, kjo Qeveri ia ka dhënë KEDS-it, herën e tretë paguan për të gjithë ato familje dhe amvisëri që shpenzojnë deri 600 kilovatë dhe herën e katërt paguajnë për qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut”, tha Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se Kosova e ka çmimin më të lirë të energjisë elektrike aktualisht, por me shtrenjtimin e paralajmëruar, Kosova nga 6 cent për kilovat të çmimit të energjisë elektrike shkon në 22 cent, duke kaluar shtete të zhvilluara Francën, Kroacinë dhe të tjera.
Ai paralajmëroi se me shtrenjtimin e energjisë elektrike, do të zhvishen malet e Kosovës, ngase interesimi për t’u ngrohur me dru do të jetë shumë më i madh dhe Qeveria nuk ofron alternativa të ngrohjes së qytetarëve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vetëm të mërkurën e kësaj jave, Kosova ka importuar mbi 10 gigavat orë të energjisë elektrike, të cilat nëse mblidhen në fund japin një shifër prej 2 milionë e gjysmë euro import të energjisë.
“Dje kemi paguar import 2 milionë e gjysmë euro. Më tregoni të nderuar deputetë, si t’i paguajmë dhe ku t’i marrim 2 milionë e gjysmë, kjo është çështja. Asnjëri nuk dëshiron që energjia të jetë e shtrenjtë, mirëpo importi vetëm dje na ka kushtuar 2 milionë e gjysmë euro. Pra, nuk bëhet fjalë për çmimin e megavat-orës që na vjen nga Koorporata Energjetike por për atë që e marrim nga bursa ndërkombëtare”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 75 milionë euro gjatë kësaj jave për të subvencionuar furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë kjo gjë u bë për të përballuar rritjen e tarifave të rrymës e cila pritet të ndodhë me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nga muaji shkurt i këtij viti, me arsyetimin e shtrenjtimit të çmimit në importimin e saj nga tregu i huaj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.