BALLKANI

Kurti: UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje antikolonialiste, tha Kurti pas kërkesës së Prokurorisë Speciale që krerët e UÇK-së në Hagë të dënohen me nga 45 vjet burg

Agim Sulaj  | 10.02.2026 - Përdıtësım : 10.02.2026
Kurti: UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse

Prishtinë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse, transmeton Anadolu.

Në një reagim në ditën kur Prokuroria Speciale e Gjykatës Speciale kërkoi qe ish krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë të dënohen me nga 45 vjet burg, Kurti tha se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të Kosovës konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.

“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e aparteidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, ka shkruar Kurti.

Kurti tha se Kosova nuk ka pasur kurrë plan shfarosjeje të asnjë populli tjetër apo të civilëve.

Kurti tha se kërkesa e Prokurorisë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard ndërkombëtar.

“Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, tha Kurti.

Tutje Kurti tha se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje antikolonialiste.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın