BALLKANI

Kurti u drejtohet serbëve me një video-mesazh

"Dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm dhe me këtë rast edhe komunitetit serb i takojnë shërbimet në institucionet publike shtetërore të Kosovës", ka thënë Kurti

Agim Sulaj  | 19.09.2025 - Përdıtësım : 19.09.2025
Kurti u drejtohet serbëve me një video-mesazh Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një video-mesazhi u është drejtuar qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, duke u bërë thirrje atyre që mos t'u besojnë "britmave luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit", raporton Anadolu.

Kurti në këtë video të publikuar nga faqja zyrtare e Qeverisë së Kosovës në rrjetet sociale tha: "Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen dhe se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore do t'ju mbrojnë edhe prej tyre".

"Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë. Në Kosovë nuk ekziston jotolerancë ndëretnike siç propagandojnë disa. Përkundrazi, ekziston bashkëpunimi, sidomos në ekonomi dhe në treg. Natyrisht, aty ku ka fitim ka edhe bashkëpunim, por ky bashkëpunim duhet të jetë ligjor dhe i rregullt. Megjithatë, duhet të pranojmë se ekziston një barrierë gjuhësore, pra fakti që gjithnjë e më pak shqiptarë flasin gjuhën serbe dhe anasjelltas", ka thënë Kurti.

Kryeministri kosovar në detyrë duke thënë se është me rëndësi që të luftohet për drejtësi dhe mirëqenie, ka nënvizuar se është i nevojshëm inkorporimi dhe unifikimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor në Kosovë.

Sipas Kurtit, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm dhe me këtë rast edhe komunitetit serb i takojnë shërbimet në institucionet publike shtetërore të Kosovës.

"Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm. Besoj se është e mundur të kemi sistem ligjor e të drejtë dhe që funksionon shumë më mirë. Dhe e dimë sa të domosdoshme janë investimet e mëdha. Brenda një procesi të tillë do t'i bashkojmë idetë, përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special për dialog, vendet e Quint-it dhe KFOR-in", ka thënë Kurti.

Më 12 shtator, inspektorët nga Mitrovica e Veriut në asistencë me zyrtarët e Policisë së Kosovës, kryen kontrolle në hapësirat ku vepronin Fondi për Sigurime Shëndetësore dhe Fondi për Sigurime Invalidore e Pensionale në Mitrovicë të Veriut.

Pas kontrollit nga Komuna e Mitrovicës së Veriut deklaruan se personat e hasur në objektin në fjalë nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur dhe për këtë arsye atyre u është pezulluar përkohësisht veprimtaria.

Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor.

Në mjediset serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë ende sipas sistemit të Serbisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.