Kurti takoi të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach
Kurti theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë

Prishtinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, për takimin e gjashtë ndërmjet tyre këtë vit, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, çështjet të cilat u diskutuan ndërmjet tyre ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimi përgjatë kufirit i sistemit kundërajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.
“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti falënderoi Lord Stuart Peach për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it. Tutje, Kurti theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë.
Peach është pritur po ashtu edhe nga kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Bislimi e informoi emisarin Peach rreth procesit të dialogut dhe rolin e Republikës së Kosovës në këtë proces.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.