BALLKANI

Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e misionit të BE-së në Kosovë

Palët diskutuan për temat aktuale si dhe kërkesën e Serbisë drejtuar OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës

Agim Sulaj  | 30.11.2023 - Përdıtësım : 01.12.2023
Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e misionit të BE-së në Kosovë

Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, pritën në takim përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, palët diskutuan për temat aktuale si dhe kërkesën e Serbisë drejtuar OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri theksoi se për këtë çështje ai ka informuar tashmë OSBE-në se për organizim të votimeve jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.

Kurti shprehu keqardhjen e tij për mungesën e gatishmërisë se Serbisë për një marrëveshje të tillë që do t'u mundësonte shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhje sipas praktikave më të mira evropiane ndërshtetërore për votim nga jashte vendit.

Gjatë ditës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në rrjetet sociale tha se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës muajin e ardhshëm, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020.

Autoritetet e Serbisë ditë më parë i kërkuan misionit të OSBE-së në Kosovë por jo edhe Prishtinës, që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë për zgjedhjet parlamentare në Serbi të cilat mbahen me 17 dhjetor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın