BALLKANI

Kurti: Tabelat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër

“Në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës automjetet që janë me tabela të Serbisë dhe hynë në territorin e Kosovës, do të pajisen me tabela të përkohshme”, theksoi Kurti

Agim Sulaj  | 20.09.2021 - Përdıtësım : 21.09.2021
Kurti: Tabelat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e tabelave të përkohshme për veturat me tabela të Serbisë që futen në Kosovë, nuk është dëshirë e autoriteteve kosovare, por imponim nga Serbia, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur nga Kuvendi i Kosovës për aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, kryeministri Kurti tha se këto veprime nuk kanë asnjë qëllim për cenimin e lëvizjes së qytetarëve serbë në Kosovë, e as destabilizim, por sipas tij janë thjesht respektim të marrëveshjes për të cilën është pajtuar edhe Serbia në Bruksel për targat e veturave.

“Në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës automjetet që janë me tabela të Serbisë dhe hynë në territorin e Kosovës, do të pajisen me tabela të përkohshme”, theksoi Kurti.

Meqë mëngjesin e sotëm, njësia speciale policore e Kosovës u pengua që të shkojë në kufirin verior nga disa kamionë të cilët u vendosën në mes të rrugës nga qytetarë serbë të Kosovës, Kurti tha se qytetarët serbë do të vazhdojnë të lëvizin lirshëm në territorin kosovar siç edhe ua garanton Kushtetuta.

Madje, ai luti qytetarët serbë të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë pa shqetësime se do t’u cenohet ndonjë e drejtë.

Kurti gjatë fjalimit të tij shfaqi para deputetëve dy palë tabela, njërën tabelë të përkohshme e cila do të përdoret nga veturat me tabela serbe që do të futen në Kosovë dhe tabelën tjetër për të cilën ai tha se shtetasit kosovarë paguajnë tash e 10 vjet për to për t'u futur në Serbi.

“Ne nuk i duam asnjërën nga këto tabela, por derisa do të jenë këto (tabelat e përkohshme serbe), do të jenë edhe këto (tabelat e përkohshme kosovare)”, tha Kurti.

Sipas vendimit të fundit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të Kosovës dhe të nënshkruar nga ministri Sveçla për rregullimin e kësaj çështje, “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, shtoi ai në rrjete sociale.

Sipas ministrit, Aktualisht situata e kontrolleve nga Policia e Kosovës është e qetë, ndërsa policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

"Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës. Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t'i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa në mjet. Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë dhe kushton 5 euro”, thuhet në pikat e këtij vendimi.

Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas marrëveshjes, nga Kosova në Serbi mund të futen të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë deri më sot futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Këtë vit, Ministria e Brendshme e Kosovës kishte paralajmëruar edhe më herët se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targave “KS” dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.