BALLKANI

Kurti: Serbia e ka kuptuar më mirë se kurdoherë se Kosova është shtet

“Nga katër fqinj, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurdoherë që jemi shtet. Realiteti ka ndryshuar shumë”, tha Kurti

Agim Sulaj  | 20.01.2026 - Përdıtësım : 20.01.2026
Kurti: Serbia e ka kuptuar më mirë se kurdoherë se Kosova është shtet

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron të Davos të Zvicrës në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, ka thënë se Serbia më mirë se kurdoherë e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu.

Kurti në një bisedë me ish-diplomatin dhe politikanin britanik Rory Stewart tha se Rusia kërcënon rajonin përmes Serbisë.

“Nga katër fqinj, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurdoherë që jemi shtet. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu edhe ajo për Perandorinë Ruse apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por kjo është e pamundur”, ka thënë Kurti.

Duke folur për veriun e Kosovës, Kurti ka thënë se para pesë apo 10 vjetësh nuk ka pasur as liri për të ecur apo folur shqip lirshëm në atë pjesë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se duhet të ketë më shumë solidaritet brenda kontinentit Evropian dhe vetë NATO-s ngase sipas tij “Rusia dëshiron që t’i shkatërrojë të dyja, e Kina të arrijë fuqinë e SHBA-së”.

Kurti shtoi se “kushdo që ndihmon fqinjin tonë në përpjekjet për të destabilizuar, na shkakton edhe neve probleme”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın