Kurti: Paradoks të flitet për zgjerim të BE-së, ndërkohë që anashkalohet aplikimi i Kosovës
“Masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës sonë demokratike në Ballkanin Perëndimor i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së", tha Kurti
Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur paradoks faktin që flitet për urgjencë të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) ndërsa aplikimi i Kosovës për anëtarësim në bllok lihet në raft të BE-së tash e tre vjet, raporton Anadolu.
Kurti në fjalën e tij në samitin mbi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së diskutuan në Tiranë për planin e rritjes dhe integrimin ekonomik tha se Kosova ka shënuar progres në çështje të sigurisë dhe në ekonomi por vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të BE-së.
“Ky progres i verifikuar ndërkombëtarisht dhe i bazuar në dëshmi është në kontrast të plotë me politikën e BE-së për masa ndëshkuese dhe mungesën e progresit në dhënien e statusit të merituar të vendit kandidat për Kosovën. Masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës sonë demokratike në Ballkanin Perëndimor i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së”, tha Kurti.
Ai tha se kjo është hera e fundit që do ta adresojë çështjen e masave ndëshkuese të BE-së duke shtuar se “ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell”.
Kryeministri kosovar në detyrë tha se asnjë vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. "Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks", tha Kurti.
Sipas tij, Kosova është prapa në zbatimin e Agjendës së Reformave për shkak të rrethanave të krijuara me vonesat në formimin e qeverisë së re. Kurti tha se Kosova e kupton që përparimi i saj individual drejt bashkimit me Tregun Unik të BE-së është i lidhur ngushtë me përparimin kolektiv në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale.
