Kurti: Për të zhvendosur vëmendjen nga protestat, Beogradi po do të nxisë incidente në Kosovë
“Ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj, janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër", tha Kurti

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Beogradi zyrtar që po përballet me protesta të vazhdueshme të studentëve, në përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen diku tjetër, mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan të Kosovës, kur festohet festa e Vidovdanit këtë të shtunë, raporton Anadolu.
Kurti para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se festa e Vidovdanit që ka natyrë fetare në vazhdimësi është përcjellë me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë.
"Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj, janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër", theksoi Kurti.
Kurti tha se tradicionalisht, grupe të tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe-ruse, që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu edhe kundër vlerave demokratike-evropiane.
Ai gjithashtu u bëri thirrje, qytetarëve serbë në Kosovë të mos bien pre e asnjë provokimi.
"U bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë, që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike", theksoi Kurti.
Kurti tha se tubimet në shënimet e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin dhe jo të shndërrohen në mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë të eksportojnë krizën e tyre të brendshme politike, përmes provokimeve në Kosovë.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni e festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan, rreth 10 kilometra afër Prishtinës, ku më herët në organizimet e tilla ka pasur arrestime për nxitje të urrejtjes fetare e kombëtare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.