BALLKANI

Kurti: Në dialogun me Serbinë, çështja e të pagjeturve është temë që nuk pret

Pas takimeve Kosovë-Serbi në nivel ekspertësh në Bruksel, Përfaqësuesi i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar se një sërë çështjesh urgjente midis dy vendeve fqinje mbeten ende shumë larg zgjidhjes

Agim Sulaj  | 08.09.2021 - Përdıtësım : 09.09.2021
Kurti: Në dialogun me Serbinë, çështja e të pagjeturve është temë që nuk pret

Prishtinë

Ka përfunduar edhe dita e dytë e takimeve në nivel ekspertësh në kuadër të dialogut Kosovë Serbi dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar në rrjetet sociale pas takimeve, se një sërë çështjesh urgjente midis dy vendeve fqinje mbeten ende shumë larg zgjidhjes.

“Sapo përfunduam dy ditë me shumë punë dhe diskutime intensive me shefin e negociatave nga Kosova dhe atë nga Serbia. Pozicionet për një numër çështjesh urgjente mbeten ende shumë larg. Mbetet shumë punë për t’u bërë”, shkroi Lajçak.

Ndërkaq, megjithëse takimi në nivel ekspertësh në Bruksel ka qenë me qëllim të parapërgatitjes së takimit të nivelit të lartë midis kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim të nivelit të tillë.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit Kosovë-Serbi, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Çështja e të pagjeturve edhe sipas kryeministrit Albin Kurti, i cili komentoi sot pasdite takimin në nivel ekspertësh në Bruksel, është çështje që nuk mund të presë.

Ai në një deklarim për media tha se pikërisht për këtë, bashkë me Besnik Bislimin në takimet në Bruksel ka marrë pjesë edhe kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, Andin Hoti.

“Ka vetëm një temë që nuk pret: është çështja e të pagjeturve, e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe për këtë me siguri që do të bisedohet në Bruksel. Ndërkaq, për çështjet e tjera, ne kemi dhënë propozimet tona të cilat fatkeqësisht nuk janë pranuar. Mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Brukselit, mirëpo jo edhe me Serbinë”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit Kurti, Kosova nuk mund të presë për marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke me brenda Serbinë kur janë në pyetje familjarët e 1.630 qytetarëve të Kosovës të cilët janë të pikëlluar që nuk i kanë më të dashurit e tyre as 22 vite më vonë.

Kurti e Vuçiq u takuan së fundi më 15 qershor të këtij viti në Bruksel, por nuk arritën ndonjë përparim në përafrimin e qëndrimeve të cilat pritet të çojnë në mbylljen e procesit të dialogut i cili ka filluar nga viti 2011.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın