BALLKANI

Kurti: Nga nesër fillojmë me zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë

Pritet që kabineti qeveritar në përbërje prej 17 anëtarësh të votojë me një shumicë prej 9 anëtarësh nëse vendimi do të hyjë në fuqi ose jo

Agim Sulaj  | 31.03.2020 - Përdıtësım : 01.04.2020
Kurti: Nga nesër fillojmë me zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë Foto: AA/Arhiv

Prishtinë

Kabineti i Qeverisë së Kosovës ka marrë vendim për fillimin e zbatimit gradual të reciprocitetit, si parim me marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa ka vendosur për heqjen e tarifës 100 për qind për produktet me origjinë nga Bosnja e Hercegovina pa asnjë masë reciprociteti me të, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pritet që kabineti qeveritar në përbërje prej 17 anëtarësh të votojë me një shumicë prej 9 anëtarësh nëse vendimi do të hyjë në fuqi ose jo.

Në një konferencë për media kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se këtë vendim për krijimin e marrëdhënieve të barabarta tregtare, qeveria pritet ta marrë sonte në mënyrë që vendimi të mund të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.

“Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet e përdorura në dokumentet si në vijim duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. Certifikatat fitosanitare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje bimore dhe joshtazore që iu nënshtrohen kontrolleve në kufi, dhe së dyti, certifikata veterinare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore që i nënshtrohen kontrollit veterinar në kufi. Vendimin që po e marrim sonte detyrohen ta zbatojnë Policia Kufitare, Dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), Agjencia për Produkte dhe pajisje medicinale, dhe institucionet tjera përgjegjëse”, theksoi ai.

Sipas Kurtit, vendimi për heqjen e tarifës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe fillimi i zbatimin gradual të masës së reciprocitetit me të, nuk do vlejë edhe për Bosnjë e Hercegovinën.

“Me Bosnjë dhe Hercegovinën e heqim tarifën 100 për qind pa asnjë shtesë tjetër. Ne e dimë që edhe Bosnja e Hercegovina vuan nga Serbia. Për shkak se neve na lufton së jashtmi, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovinën së brendshmi”, theksoi Kurti, duke shtuar se pret nga autoritetet e këtij shteti që “meqë nuk e njohim njëra-tjetrën si shtet, Bosnja të heq vizat për kosovarët”.

Kryeministri në detyrë bëri të ditur se vendimi i cili do të votohet sonte do të jetë në fuqi deri më 15 qershor e më pas do ta bëhet “një vlerësim për mbarëvajtjen e tij sa i përket implementimit”.

Qeveria e Kosovës më 20 mars të këtij viti ka hequr tarifën 100 për qind për importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, teksa paralajmëroi heqjen e plotë të kësaj tarife më 1 prill duke filluar me masën e reciprocitetit me shtetin serb.

Tarifa 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina hyri në fuqi në fund të vitit 2018, si kundërpërgjigje e Qeverisë së Kosovës për fushatën e Serbisë kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës, si dhe kundër anëtarësimit të saj në mekanizma ndërkombëtarë. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.