Kurti: Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Prishtinë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen
Tiranë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se mbeten të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke, transmeton Anadolu.
Kryeministri Kurti është takuar në Prishtinë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
"Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke", ka shkruar Kurti në rrjetet sociale në lidhje me takimin.
Ndërkohë, në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se Sorensen e uroi kryeministrin Kurti me rastin e formimit të qeverisë së re dhe për mandatin e tij të ri.
