Kurti: Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me Nismën Socialdemokrate
- Kurti u pyet për detaje të kësaj oferte, por tha se ato nuk mund të bëhen të ditura derisa të përfundojnë bisedimet dhe të ketë rezultat.

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetari i partisë më të madhe të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit 2025, Lëvizjes Vetëvendosje, ka pranuar se i ka bërë një “ofertë konkrete” partisë Nisma Socialdemokrate për formimin e institucioneve të reja, raporton Anadolu.
Nëpërmjet një konference për media, Kurti u pyet për detaje të kësaj oferte, por tha se ato nuk mund të bëhen të ditura derisa të përfundojnë bisedimet dhe të ketë rezultat.
Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate.
“Kemi zhvilluar një takim pardje, me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë, si kryetar i subjektit fitues të zgjedhjeve, kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin, por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë, unë kam bërë pak a shumë edhe një ofertë konkrete për Nismën, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejtë dhe sa më mirë në mënyrë që ta kemi konstituimin e Kuvendit dhe qeverinë e re”, theksoi Kurti.
Kurti shtoi se deri në fund të javës do të bëhet e ditur nëse ka marrëveshje me këtë parti.
Kurti, duke folur për skadimin e afatit që Gjykata Kushtetuese u dha deputetëve për formimin e legjislaturës së re deri më 26 korrik, tha se nuk e di se çfarë do të ndodhë për kësaj date, ndërkohë që tha se duhet të qeverisin, sepse “i kemi kompetencat e kufizuara, por punët i kemi të shumta”.
Kurti shtoi se për mosmarrëveshje politike të grupeve parlamentare nuk është adresë gjykata, por është tryeza e partive.
Kuvendi i Kosovës sot shënoi dështimin e 50-të me radhë për konstituimin e legjislaturës së re, ndërkohë që me 26 korrik është koha e fundit brenda së cilës Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se duhet të konstituohet kuvendi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.