BALLKANI

Kurti kërkon të hetohet kushtetueshmëria e marrëveshjes së fshehtë mes Thaçit dhe NATO-s

Në letrën e Kurtit thuhet se Hashim Thaçi në vitin 2014, atëherë kryeministër i Kosovës, ka nënshkruar një marrëveshje me NATO-n me të cilën barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës

Zylfije Adem Jakupi  | 26.02.2020 - Përdıtësım : 26.02.2020
Kurti kërkon të hetohet kushtetueshmëria e marrëveshjes së fshehtë mes Thaçit dhe NATO-s

Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, lidhur shkeljen e mundshme të Kushtetutës nga presidenti Hashim Thaçi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e Kurtit thuhet se Hashim Thaçi në vitin 2014, atëherë kryeministër i Kosovës, ka nënshkruar një marrëveshje me NATO-n me të cilën barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Në shkresën dërguar kryetares së Kuvendit, Kurti thotë se ka implikime kushtetuese të mundshme në shkëmbimin e letrave me datë 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Kurti thekson faktin se pas pranimit zyrtar të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që pa vonesë të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 (Bartja e Sovranitetit), nenin 18 (Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare) dhe nenin 91 (Shkarkimi i Presidentit).

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t'ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit. Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë: Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj", thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit.

Në letër kryeministri i Kosovës garanton Kuvendin dhe të gjithë qytetarët se nuk do të ndërmerr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se kjo shkresë i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Në dokumentin shtesë të dorëzuar “Opinioni” shprehet se më 19 prill të vitit 2013, në Bruksel, Thaçi nënshkroi dy marrëveshje ndërkombëtare. Një marrëveshje u nënshkrua midis Kosovës, Serbisë dhe BE-së, e cila kishte për qëllim kryesisht krijimin e strukturave autonome brenda institucioneve të Kosovës në komunat me shumicë serbe.

Kjo marrëveshje, siç theksohet, u shpalos brenda një dite, ndërsa disa muaj më vonë, më 27 qershor të vitit 2013, e ratifikoi Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Megjithatë, ndryshe nga kjo marrëveshje, marrëveshja e dytë e nënshkruar atë ditë ishte fshehur nga Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës, ndërsa ajo që e veçon atë nga marrëveshjet e mëparshme të ngjashme me NATO-n është se i referohet dhënies së një vetoje absolute mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës për një periudhë të pakufizuar.

Më tej thuhet se fshehja e kësaj marrëveshjeje mund të jetë shkelje serioze e Kushtetutës së Kosovës dhe kushtetuta nuk përjashton mundësinë e shkarkimit të presidentit për shkeljet që ka bërë para se të bëhej president.

Si përfundim theksohet se "duke marrë parasysh provat në dispozicion te Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat relevante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar 'prima facie' se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Kurtit.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın