BALLKANI

Kurti: Kosova mund t’i mbajë dy palë zgjedhje parlamentare brenda pak muajsh

"Para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi, siç e pamë nga dita e djeshme, nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja", tha Kurti

Agim Sulaj  | 27.10.2025 - Përdıtësım : 28.10.2025
Kurti: Kosova mund t’i mbajë dy palë zgjedhje parlamentare brenda pak muajsh Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media nga Qeveria e Kosovës ka deklaruar se dje i është konfirmuar se nuk ka zgjidhje tjetër pos mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë, raporton Anadolu.

Një ditë pasi qeveria e propozuar nga mandatari Albin Kurti nuk kaloi në votën në seancë parlamentare, duke marrë vetëm 56 vota nga deputetët kosovarë, Kurti tha se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje angazhohen që ta zhvillojnë shtetin dhe jo ta mbajnë pushtetin.

“Prandaj, para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi, siç e pamë nga dita e djeshme, nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë, jemi përpjekur që çdoherë kur është kërkuar nga ne, obligimin tonë ta kryejmë në kohë”, tha Kurti.

Kurti tha se tani kjo qeveri ka hyrë në muajin e tetë të vitit të pestë të mandatit të saj 4-vjeçar, gjë të cilën ai tha se nuk e kanë paramenduar. Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar kategorikisht qeverinë e udhëhequr nga ai dhe po ashtu edhe Nisma ka refuzuar përfundimisht të jetë në qeverinë që e drejton ai.

Ai shtoi se pos balotazhit në zgjedhje lokale të 9 nëntorit, Kosovën e presin zgjedhjet e reja parlamentare, për ta cilat tha se “duket se të gjithë po përgatiten”.

“Mbase është për të ardhur keq, që do të mund të kemi, përveç balotazhit edhe dy herë zgjedhje, edhe në dimër edhe në pranverë. Sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm. Dhe i kemi vetëm katër muaj deri te zgjedhja e presidentit apo presidentes”, theksoi Kurti.

Por Kurti tha se tani është radha e veprimit të presidentes Osmani, e cila ka 10 ditë afat “për rrugën përpara”, nëse do ta shpallë një mandatar të dytë ose do të shpallë zgjedhjet e reja parlamentare.

Të dielën, më 26 tetor, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, e propozuar para deputetëve të Kuvendit, mori vetëm 56 vota pro, nga të paktën 61 të nevojshme për t’u miratuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.