Kosova ka nisur pranimin e emigrantëve të parë të dëbuar nga SHBA-ja
Kryeministri Kurti saktësoi se deri tani në Kosovë kanë mbërritur vetëm një ose dy persona, ndërsa të tjerët pritet të vijnë në faza të mëvonshme
Prishtinë
Kosova ka nisur pranimin e emigrantëve të parë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në kuadër të një marrëveshjeje të arritur me administratën amerikane, konfirmoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për një media lokale, Kurti tha se fillimisht pritet të vijnë rreth 50 persona, sipas kërkesës së paraqitur nga administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ai saktësoi se deri tani në Kosovë kanë mbërritur vetëm një ose dy persona, ndërsa të tjerët pritet të vijnë në faza të mëvonshme.
"Ne po pranojmë ata që SHBA-të nuk i donin në territorin e tyre", u shpreh Kurti, duke mos dhënë detaje për vendet e origjinës së këtyre emigrantëve.
Marrëveshja ishte bërë publike në muajin qershor, kur Kurti njoftoi se personat e deportuar do të vendosen në Kosovë në përputhje me ligjet në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat që u takojnë sipas legjislacionit kosovar. Vendimi në atë kohë u përshëndet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas autoriteteve kosovare, zbatimi i marrëveshjes pritet të vazhdojë edhe në periudhat e ardhshme.
