Kurti kërkon që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e BE-së
- Kurti ishte pjesë e panelit të parë të diskutimit ndërmjet liderëve me temën “Plani i Rritjes: Vlerësim, puna e ardhshme dhe komunikimi”

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nën tematikën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”, raporton Anadolu.
Kurti ishte pjesë e panelit të parë të diskutimit ndërmjet liderëve me temën “Plani i Rritjes: Vlerësim, puna e ardhshme dhe komunikimi”.
Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian (BE) për vendet e rajonit duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e tyre ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave të përbashkëta evropiane. Në këtë kuadër, ai kërkoi që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e BE-së.
Kryeministri Kurti rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për nismat e BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe “Autostradën e Tregut të Përbashkët”, ndërsa propozoi tre sektorë të tjerë me potencialë bashkëpunimi: shërbimet digjitale konkurruese, përfshirë zhvillimin e softuerëve, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e strukturuara; sektorin e mbrojtjes, si dhe sektorin e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit.
Kurti bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit, përfshirë atë për diploma dhe lëvizje të lirë me letërnjoftime, ku nënvizoi se pas vendimit për heqjen e vizave, hyrjet nga qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës në Kosovë u rritën dukshëm.
“Meqë qytetarët boshnjakë udhëtojnë lirshëm në Kosovë, edhe qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet e njëjta liri në Bosnjë dhe Hercegovinë”, shtoi Kurti.
Në përmbyllje, kryeministri Kurti theksoi se siguria është parakusht për zhvillim dhe rritje, duke vënë në pah se Ballkani Perëndimor nuk është i shkëputur nga rrafshi gjeopolitik i Evropës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.