BALLKANI

Kurti i shpreh emisarit Sorensen gatishmërinë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kryeministri në detyrë i Kosovës nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme

Agim Sulaj  | 14.01.2026 - Përdıtësım : 14.01.2026
Kurti i shpreh emisarit Sorensen gatishmërinë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi Foto: Zyra e Kryeministrit

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, raporton Anadolu.

Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton sipas tij parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se “ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog”.

Sa i përket palës tjetër në dialog, Kurti vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi.

Kurti shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara.

Kryeministri në detyrë i Kosovës nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme.

Kryeministri Kurti zhvilloi sot takim edhe me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë për të diskutuar perspektivat për vitin 2026.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Avio Orav, në rrjetin social amerikan “X”, tha se në këtë takim u vlerësua procesi zgjedhor që reflekton angazhimin e fortë ndaj parimeve demokratike dhe u theksua rëndësia e formimit të shpejtë të qeverisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın