
Prishtinë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar letra kreut të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqit, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut, për konsultime para përpjekjes së radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu.
Kurti i ka ftuar në një takim të përbashkët Krasniqin dhe Abdixhikun nga ora 08:30 më 1 maj, apo një orë e gjysmë para se të mbahet seanca e ardhshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, nga ora 10:00.
Të martën dështoi të konstituohet Kuvendi i Kosovës për të tetën herë me radhë, nga përpjekjet çdo-48-orëshe që nga data 15 prill.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk po merr mbështetje nga partitë tjera opozitare që të emërohet në pozitën e kryeparlamentares.
Për disa herë me radhë ajo është votuar jo më shumë se nga 57 deputetë, ndërsa asaj i nevojiten së paku 61 vota pro.
PDK-ja ka kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar dhe kështu do të hapej mundësia që edhe ata ta mbështesnin me votë. Megjithatë, këtë kërkesë e ka quajtur të paarsyeshme LVV-ja, e cila thotë se me këtë do të hapej rrugë që edhe partitë më të vogla të kërkonin të ndryshohen emrat e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.