Kurti flet për pjesëmarrësit e sulmit në Banjska të cilët u shfaqën në protestën e Beogradit
Në sigurinë e ofruar për presidentin Vuçiq, sipas fotografive dhe raportimeve të aktivistëve dhe opozitës serbe, u shfaqën pjesëtarë të organizatës "Mbrojtja Civile", të cilët kishin marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjska

Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pjesëmarrësit e sulmit terrorist në Banjska të Komunës së Zveçanit, të cilët u shfaqën duke ofruar siguri për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, janë "më afër se mbrojtja e afërt e presidentit serb", transmeton Anadolu.
Kurti në një deklarim për media, pas vendosjes së një gurthemeli të çerdhes në periferi të Prishtinës, i pyetur rreth pranisë së pjesëmarrësve të sulmin në Banjska në sigurinë e presidentit Vuçiq në Beograd, tha se Qeveria kishte pasur të drejtë kur i kishte shpallur dy organizatat "Mbrojtjen Civile" dhe "Brigadën Veriore" si terroriste, në fund të qershorit të 2023-tës.
Në sigurinë e ofruar për presidentin Vuçiq, sipas fotografive dhe raportimeve të aktivistëve dhe opozitës serbe, u shfaqën pjesëtarë të organizatës "Mbrojtja Civile", të cilët kishin marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjska, ku u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku, në shtator, 2023.
"Të njëjtit janë edhe më afër se mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë. Kjo tregon se kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se ky grup kriminal e terrorist është i dirigjuar, financuar nga Beogradi dhe nuk është një grup huliganësh. Janë njerëz të cilët janë ushtruar në Serbi, marrin urdhrat prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Prandaj, ata duhet t'i dorëzohen Kosovës, kjo flet që ne kemi pasur gjithçka të drejtë dhe tregon gjithçka për vetë regjimin e Beogradit, i cili në njërën anë vepron kësisoj për shkak se i mohon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e në anën tjetër vetëm sa e rritë bashkëpunimin me Kremlinin me presidentin despotik Putin", theksoi Kurti.
Mediat në Serbi raportuan se në mesin e tyre janë Milorad Jevtiq (i njohur si "Micko"), Zarko Cvetkoviq, Vladimir Vuçetiq dhe Vukashin Jarediq, që të gjithë, të përfshirë në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në rastin Banjska.
Prania e tyre në protestë është dënuar nga shoqëria civile serbe dhe nga politikanë opozitarë, të cilët kanë kritikuar Vuçiqin për shndërrimin e pjesëmarrësve të sulmit terrorist në mbrojtës personalë të presidentit.