Kurti: Familja Jashari u bë simbol i rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë
"Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998", shkroi Kurti
Prishtinë
Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Jasharët duke rezistuar të armatosur, u bënë simbol i rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë, transmeton Anadolu.
Kurti nëpërmjet një shkrimi tha se çdo 22 janar kujtohet dita e kësaj date e vitit 1998 kur policia serbe sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz.
Kurti tha se mëngjesin e 22 janarit 1998 për gjysmë ore një grup policësh serbë shtinë breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit ndërsa brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza.
"Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari. Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998", shkroi Kurti.
Ai tha se kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore serbe, pas sulmit më 30 dhjetor të vitit 1991.
"Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit", tha Kurti.
Tutje, Kurti tha se një muaj e gjysmë pas sulmit të dytë, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t'i bashkoheshin UÇK-së.
"Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri", theksoi ai.
Nga sulmet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 tek shtëpitë e familjes Jashari në Prekaz humbën jetën 59 anëtarë të familjes.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
