
Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar partitë e opozitës së legjislaturës së kaluar parlamentare për mosarritjen e formimit të institucioneve të reja në Kosovë, transmeton Anadolu.
Kurti në një deklarim për media lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës pas 21 përpjekjesh me radhë, tha se përgjigjja për këtë është votimi i fshehtë i kandidates Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit dhe nuk diskutohet ndërrimi i emrit të kandidates.
"Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. E, përgjigjja është votimi i fshehtë për çfarë opozita padrejtësisht dhe në dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin", tha Kurti.
Kryeministri në detyrë deklaratën e dha pas pjesëmarrjes në edicionin e 16-të të Konferencës vjetore shkencore "Java e Albanologjisë", që u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe në javët në vijim.