BALLKANI

Kurti-Abdixhiku: Partitë kryesore pa kandidatë partiakë për president, nevojitet konsensus mes subjekteve politike

I pyetur për rizgjedhjen e presidentes Osmani, Kurti tha se Vetëvendosje nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë kandidat, duke theksuar se edhe në rastin më të mirë mund të sigurojnë rreth 66 vota, “larg numrit të nevojshëm prej 80”

Abdulbesar Ademi  | 23.02.2026 - Përdıtësım : 23.02.2026
Kurti-Abdixhiku: Partitë kryesore pa kandidatë partiakë për president, nevojitet konsensus mes subjekteve politike

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të tij me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se biseda ka qenë e gjatë dhe ka përfshirë një sërë temash me rëndësi për vendin, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, raporton Anadolu.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka një anëtar, me librezë partie, që synon të bëhet president, por njësoj vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha tradicionale, PDK-në dhe LDK-në”, tha Kurti.

Ai shtoi se kjo i është konfirmuar mbrëmë në takimin e tij me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza dhe sot nga Abdixhiku.

“Andaj, në vijim ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku dy të tretat e deputetëve të tillë që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke përzgjedhur një emër të përveçëm, më së largu më 4 marsi ose është tjetra që subjektet politike merren vesh me njëra tjetrën për rrugën përpara”, tha Kurti.

I pyetur për mbështetjen ndaj rizgjedhjes së presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti u përgjigj se partia e udhëhequr nga ai, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë, “pasi edhe në rast se i mbledhim nënshkrimet, ne mund të mbërrijmë në rastin më të mirë teorik numrin 66, që është larg numrit 80”.

Kreu i LDK-së, Abdixhiku, nga ana e tij, theksoi se fokusi i bisedave të tij me kryeministrin Kurti ishte çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit.

“Janë vetëm dy rrugë përpara. E para është që duhet ose konsensus politik mes faktorëve të vendit dhe ky konsensus politik duhet të ndërtohet në këto nëntë ditët e ardhshme ose duhet një marrëveshje klasike politike”, tha Abdixhiku, duke përmendur se në të dyja rastet duhen së paku dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës.

Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidentin e vendit më së largu deri më 4 mars, respektivisht jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale Osmani, mandati i së cilës përfundon më 4 prill të vitit 2026.

Për të garuar për president të vendit, një kandidati i duhet t'i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa për t’u zgjedhur president nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.