BALLKANI

Kultivuesit e kanabisit mjekësor kërkojnë t'u mundësohet eksporti i fidanëve

Kryetar i shoqatës MAKKANABIS, Kostadin Dukovski, u shpreh se nuk e kupton arsyen pse të mos lejohet eksporti i fidanit të kanabisit

Abdula Berisha  | 11.11.2019 - Përdıtësım : 12.11.2019
Kultivuesit e kanabisit mjekësor kërkojnë t'u mundësohet eksporti i fidanëve ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Shoqata e kultivuesve të kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut (MAKKANABIS), përmes një konference për media të mbajtur para objektit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ka bërë thirrje pushtetit ekzekutiv që të mundësojë eksportin e fidanëve të kanabisit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kostadin Dukovski, kryetar i shoqatës MAKKANABIS, rikujtoi se në mbledhjen qeveritare të mbajtur të enjten e kaluar, është tërhequr propozim ligji i cili mundësonte eksportin, ndërsa theksoi se për bizneset nuk ka kthim prapa.

"Në më shumë raste, në më shumë konferenca për media, u tha se do të ndryshohet ligji, se do të lejohet mundësia e eksportit e fidanëve. Këtë deri më tani nuk e kemi parë. Do të doja t'i apeloj qeverisë që brenda një afati sa më shkurtër të ndryshojë ligjin, nëse nuk arrijnë që ta miratojnë ligjin siç ishte propozuar, të ndryshojnë vetëm një nen të tij", tha Dukovski, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të mundësohet eksporti i fidanëve.

Ai gjithashtu sqaroi se shtetet tjera që kanë lejuar kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kanë lejuar edhe eksportin e fidanëve, ndërsa tha se kompanitë e Maqedonisë së Veriut çdo ditë kanë humbje shkaku se nuk e kanë këtë mundësi.

Dukovski rikujtoi se në këtë sferë janë prezente edhe kompani të huaja që kanë investuar miliona euro dhe se atyre u është premtuar se do të ndryshohet ligji, duke shtuar se edhe ministri i shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut në disa raste kishte deklaruar të njëjtë gjë.

Nga shoqata MAKKANABIS kanë paralajmëruar organizim të protestave nëse ndryshimet e ligjit me të cilat do të mundësohej eksporti i fidanëve nuk miratohet brenda 7 ditëve në Qeveri dhe Kuvend.

"Nuk shoh arsye pse të mos lejohet eksporti i fidanit. Për disa hulumtime dhe për disa studime mjekësore, fidani është produkti përfundimtar. Për këtë arsye ne e kërkojmë këtë, për shkak se kjo për ndonjë shtet ku i trajtojnë të sëmurët e tyre do të jetë produkti përfundimtar", tha Dukovski.

Shoqata MAKKANABIS gjithashtu ka informuar se në konsultim me juristë të vendit dhe ndërkombëtarë, po shqyrton mundësinë për ndërmarrjen e veprimeve juridike kundër Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.