BALLKANI

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, zhvilloi takim me shoqërinë civile në Kosovë

Gjatë këtij aktiviteti i cili paraprakisht u përcoll me protesta nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate dhe ata të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Trendafilova iu përgjigj pyetjeve dhe shpjegoi mandatin dhe punën e Gjykatës Speciale

Agim Sulaj  | 29.11.2023 - Përdıtësım : 29.11.2023
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, zhvilloi takim me shoqërinë civile në Kosovë

Prishtinë

Kryetarja e Dhomave të Specializuar të Kosovës (DHSK) e njohur edhe si Gjykata Speciale, Ekaterina Trendafilova, u takua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë në një aktivitet të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim në Prishtinë, raporton Anadolu.

Gjatë këtij aktiviteti i cili u përcoll me protesta nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Trendafilova iu përgjigj pyetjeve dhe shpjegoi mandatin dhe punën e Gjykatës Speciale.

“Ajo që vlerësoj më shumë në vizitën time në Kosovë është takimi me studentë të Universitetit dhe me anëtarë të shoqërisë civile. Më vjen mirë që shoh se vazhdon të ketë shumë interes për punën e Gjykatës dhe jam mirënjohëse që njerëzit gjetën kohën për të ardhur këtu sot. Ishte e rëndësishme për mua që të flisja drejtpërdrejt me njerëzit dhe të kisha mundësinë të flisja për çështjet gjyqësore në DHSK dhe për mandatin e saj,” tha kryetarja Trendafilova.

Kryetarja Trendafilova ka vënë re protestat që u zhvilluan jashtë ndërtesës ku u mbajt aktiviteti, derisa theksoi se “duke vazhduar informimin e publikut me transparencë dhe saktësi për proceset e DHSK-së, puna e bërë në Gjykatë do të flasë vetë”.

Trendafilova tha se Gjykata Speciale në ushtrimin e mandatit të saj, respekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ku përfshihet respektimi i të drejtave të të akuzuarve dhe i të drejtave të viktimave pjesëmarrëse në proces.

Sa u përket dënimeve nga Gjykata Speciale, Trendafilova ka thënë se Specialja mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm.

“Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penal të Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Trendafilova shtoi se deri më tash gjykatësit e Speciales nuk kanë qenë subjekt i ndonjë ndikimi apo presioni politik.

Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim ka qenë pjesë përbërëse e strategjisë për komunikim të DHSK-së që nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.