Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut takohet me presidentin e Azerbajxhanit
Në takimin me Presidentin e Azerbajxhanit, kryeparlamentari Gashi theksoi se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për zgjerimin e horizontit dhe forcimin e partneriteteve me vendet me të cilat kanë interes të përbashkët për bashkëpunim

Shkup
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, është takuar me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në takim janë konfirmuar marrëdhëniet tradicionalisht miqësore ndërmjet dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në takimin me Presidentin Aliyev, Gashi theksoi se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për zgjerimin e horizontit dhe forcimin e partneriteteve me vendet me të cilat, edhe pse nuk i përkasim të njëjtit rajon, kanë interes të përbashkët për bashkëpunim dhe për të ndërtuar ura miqësie.
Ai shtoi se vendi i tij nuk devijon nga rruga e integrimit evropian, pavarësisht sfidave me të cilat përballen, "por jemi të vendosur të zgjerojmë partneritetet tona me vende si Azerbajxhani, me të cilat nuk kemi çështje të hapura dhe kemi interes të përbashkët për bashkëpunim".
Kryeparlamentari Gashi theksoi se kanë një përkushtim të përbashkët për forcimin e partneritetit në fushën e furnizimit me gaz, duke marrë parasysh resurset e Azerbajxhanit dhe praninë e tyre në Ballkan dhe në disa nga vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Presidenti Aliyev, nga ana e tij, sipas njoftimit, vuri në dukje se Republika e Azerbajxhanit tashmë është duke punuar për mundësitë e sigurimit të bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet dy vendeve në fushën e furnizimit me gaz, duke theksuar se përveç bashkëpunimit në sektorin e energjisë, është e nevojshme të konsiderohet edhe rritja e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit në fushën e transportit.
Njoftimi bëri të ditur se të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se Maqedonia e Veriut dhe Azerbajxhani, përveç bashkëpunimit në fushën e transportit, tregtisë dhe ekonomisë, mund të fokusohen edhe në bashkëpunimin në kulturë dhe turizëm, pasi të dyja vendet kanë diçka për të ofruar dhe kjo mund të kontribuojë në afrimin e popujve.
Vizitën zyrtare, e cila do të zhvillohet nga data 17 deri më 19 qershor, Gashi e realizon me ftesë të kryetares së Asamblesë Nacionale të Republikës së Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova.
Gashi në këtë vizitë shoqërohet nga deputeti Petar Markov, i cili është edhe kryetar i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Azerbajxhanit, deputetja Imrlije Saliu Fetai, anëtare e grupit, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
Kjo është vizita e parë zyrtare dypalëshe e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Azerbajxhanit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.