BALLKANI

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Gashi takohet me delegacionin e Senatit të Mbretërisë së Spanjës

Gashi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Spanjës për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE ndërsa shpjegoi ndjeshmërinë e situatës me ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë

Dzihat Aliju  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 24.11.2025
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Gashi takohet me delegacionin e Senatit të Mbretërisë së Spanjës Foto: Kuvendi i Maqedonise së Veriut

Shkup

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi u takua sot me delegacionin e Senatit të Mbretërisë së Spanjës, transmeton Anadolu.

Pjesë e delegacionit ishin Natalia Usero Peres, Han Pomes Lopez dhe Lukas Kastillo Rodriges, anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit. Sipas njoftimit të Kuvendit, kryeparlamentari Gashi shprehu besimin e tij se kjo vizitë do të jetë fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm midis dy parlamenteve dhe vendeve mike.

Gashi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Spanjës për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) ndërsa shpjegoi ndjeshmërinë e situatës me ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë.

Ai shprehu shpresën se mysafirët nga Spanja do të kenë mirëkuptim dhe do të ndihmojnë në tejkalimin e pengesave të fundit për fillimin e negociatave me BE-në.

"Bashkëbiseduesit nga Senati i Spanjës shpjeguan se edhe ata vijnë nga një shtet shumëkombësh dhe se e kuptojnë ndjeshmërinë e çështjes, por duke u nisur nga përvoja e tyre në rrugën e Spanjës drejt Bashkimit Evropian, ata konfirmuan se kompromiset, megjithëse vendime të vështira, zgjidhin probleme në planin afatgjatë dhe kontribuojnë për paqe dhe zhvillim", thuhet më tej.

Në fund të takimit, sipas Kuvendit, bashkëbiseduesit shprehën dëshirën e tyre që vizita të jetë e suksesshme dhe që bashkëpunimi të vazhdojë më tutje në dobi të ndërsjellë të të dyja palëve.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.