Kryeparlamentari i Kosovës Dimal Basha distancohet nga pjesa e artikullit kundër UÇK-së
Basha, ka thënë se përgjegjësia e tij në këtë artikull qëndron vetëm për kapitullin për depërtimin e "Islamit fundamental" në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën

Prishtinë
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, është distancuar nga akuzat publike se ka shkruar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në një artikull bashkautorial, raporton Anadolu.
Basha në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit, i quajti "të ulëta" dhe të rreme akuzat se ka shkruar kundër UÇK-së, në artikullin i cili është publikuar në vitin 2012.
Kryeparlamentari kosovar tha se nuk mban përgjegjësi për asgjë që është shkruar kundër UÇK-së në atë artikull, dhe se e mbështet luftën e Ushtrisë Çlirimtare.
Basha, emri i të cilit figuron në punimin "Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi transnacional, Islami fundamental dhe aleancat e pashenjta", ka thënë se përgjegjësia e tij në këtë artikull qëndron vetëm për kapitullin për depërtimin e "Islamit fundamental" në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
"Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë dhe nuk kam shkruar asnjë shkronjë, asnjë fjalë dhe asnjë fjali nga kapitujt e tjerë", ka thënë ai.
Duke u arsyetuar për qëndrimin e tij pro-UÇK, Basha ka publikuar edhe një shkrim të vitit 2010, me autorësi të tij në lidhje me raportin e Dick Marty-t, duke kërkuar reagim ndërkombëtar për raportin që Kosovës i kushtoi me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.
"Unë si Kryetar i Kuvendit e çmoj lartë luftën çlirimtare, e kam të shenjtë dhe përulem para tyre", theksoi mes tjerash Dimal Basha.
Ditën e djeshme u bë publik dhe u diskutua nga partitë opozitare dhe në media artikulli ku Dimal Basha ishte bashkautor ku UÇK-ja portretizohej si organizatë e lidhur me botën e krimit.
Edhe bashkautorja e këtij artikulli Jana Arsovska, doli me një sqarim për opinionin publik duke thënë se Basha ka qenë përgjegjës vetëm për kapitullin e tretë të këtij artikulli, i cili kishte për qëllim që të sqaronte përhapjen e "islamit fundamental" në Evropën Juglindore, veçanërisht me fokus në Kosovë, dhe se për pjesën tjetër ka qenë autore vetëm ajo.