BALLKANI

Kryeministri Rama takon presidentin izraelit

Pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama dhe Herzog kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera

Fatjon Cuka  | 12.09.2024 - Përdıtësım : 13.09.2024
Kryeministri Rama takon presidentin izraelit Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, i cili ka realizuar një vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu.

Pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama dhe Herzog kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera.

Kryeministri Rama ka deklaruar se bashkëpunimi ekomomik midis dy vendeve ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar me shpejtësi.

Rama theksoi se Shqipëria u bë një vend ku ndryshe nga vende të tjera hebrenjtë nuk largoheshin, por sipas tij vinin të gjenin miqësi, strehë dhe mbrojtje.

Rreth zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, Rama tha se Shqipëria mbështet armëpushimin.

"Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe populli i Palestinës jetojnë është absolutisht shumë e rëndë dhe është absolutisht diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt", u shpreh Rama.

Presidenti izraelit u shpreh se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori të gjatë dhe domethënëse.

Ai tha se hebrenjtë e mbarë Evropës gjetën strehë në Shqipëri gjatë Holokaustit.

"Kemi shumë për të mësuar tanimë për njëri-tjetrin, jam shumë i kënaqur që gjendem këtu e që eksploroj rrugë të reja për të thelluar lidhjet tona në të gjitha sferat e jetës, me një rritje të konsiderueshme të konektivitetit në shumë sfera të jetës, sidomos në fushën ekonomike", tha Herzog.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Herzog u takua edhe me presidentin Bajram Begaj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın