BALLKANI

Kryeministri Rama takon kryediplomatin amerikan

Rama dhe Blinken gjatë takimit kanë nënshkruar marrëveshjen për koordinimin e teknologjisë 5G mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 13.06.2021 - Përdıtësım : 14.06.2021
Kryeministri Rama takon kryediplomatin amerikan

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Bruksel realizoi një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, transmeton Anadolu Agency(AA).

Rama dhe Blinken gjatë takimit kanë nënshkruar marrëveshjen për koordinimin e teknologjisë 5G mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë së Shqipërisë në mbyllje të takimit, Rama ka thënë se “është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës përherë”.

“Për mua e për ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm, sepse, siç besoj ju e dini, kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë që prej disa vitesh e duke i kërkuar edhe të tjerëve, vendeve në rajon që të bëhen pjesë e që të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi e për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë, institucioneve shqiptare, forcave të sigurisë e të mos lejojmë që të komprometohet nga aktorë të tretë që nganjëherë janë aktorë dashakeqë”, ka theksuar Rama.

Ndërkohë, kryediplomati amerikan ka thënë se janë mirënjohës për punën që SHBA-ja dhe Shqipëria kanë bërë së bashku në shumë fusha të ndryshme, përfshirë dhe stërvitjen “Defender21”, që sipas tij “është përmbushur me kaq shumë sukses”.

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, ai ka deklaruar se “Mendoj që po vendos një shembull mjaft të fortë për të tjerët sot, për nevojën për t’u siguruar kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi ne sot dhe të punojmë me shitës të besuar. Mendoj që kjo është shumë e rëndësishme e një mesazh shumë i fortë për t’i dërguar të tjerëve dhe çfarë është më e rëndësishme”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın