BALLKANI

Kryeministri Rama takon homologët e Kanadasë dhe Kuvajtit

Kryeministri Rama thekson që në fokus të takimit me kryeministrin e Kuvajtit ishte rindërtimi (pas tërmetit) dhe konferenca e donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel

Fatjon Cuka   | 14.02.2020
Kryeministri Rama takon homologët e Kanadasë dhe Kuvajtit

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë është takuar me kryeministrin e Kuvajtit, Sabah Al Khalid Al Sabah, dhe kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama në rrjetet sociale ka publikuar videon nga takimi me kryeministrin e Kuvajtit, ku thekson që në fokus të këtij takimi ishte rindërtimi (pas tërmetit) dhe konferenca e donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel.

Ndërkohë, në lidhje me takimin me homologun kanadez, duke publikuar videon në rrjetet sociale nga ky takim, ai tha se kanë diskutuar për konferencën e donatorëve dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Duke iu drejtuar homologut kanadez, Rama gjatë takimit tha se “E dini që jeni edhe kryeministër i shumë shqiptarëve që jetojnë në Kanada, punojnë shumë dhe kontribuojnë për vendin tuaj, por gjithashtu marrin shumë njohuri dhe të mira nga vendi juaj për familjet e tyre. Duam t’i forcojmë marrëdhëniet”.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, është shprehur se Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë në konferencën e rindërtimit.

“Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s. Shqiptarët po kryejnë shërbimin përkrah Kanadasë në Letoni për mision ‘Enhanced Forward Presence’ dhe është kënaqësi të vazhdojmë të shkëmbejmë dhe të kemi një bashkëpunim kaq të mirë me ju, ndërsa ecim përpara”, ka theksuar kryeministri kanadez.

Kryeministri Rama po merr pjesë së bashku me zyrtarë të tjerë të Shqipërisë, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın