Kryeministri Rama propozon ndryshime në kabinetin qeveritar, largohet Balluku
Ndryshimet e propozuara në Qeverinë e Shqipërisë vijnë pas zhvillimeve të fundit për çështjen ndaj Ballukut, e cila është marrë e pandehur për veprën penale "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike"
Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka propozuar ndryshime në kabinetin qeveritar, ndërkohë është propozuar shkarkimi i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Propozimet janë konfirmuar zyrtarisht për Agjencinë Anadolu nga burimet zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë.
Mësohet se propozimet janë bërë të ditura nga vetë Rama në mbledhjen djeshme maratonë të grupit parlamentar të partisë që ai drejton, Partisë Socialiste.
Ministrja aktuale e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, është propozuar për në postin e zëvendëskryeministres. Rama ka propozuar ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme diplomatin Ferit Hoxha, në vend të Elisa Spiropalit.
Për ministër të Punëve të Brendshme, Rama ka propozuar ministrin aktual të Drejtësisë, Besfort Lamallarin, ndërsa si ministër të Drejtësisë Toni Gogun, që aktualisht është ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Enea Karakaçi është propozuar si ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ermal Nufi është propozuar si ministër i Mbrojtjes, post që mbahet aktualisht nga Pirro Vengu. Erjona Ismaili është propozuar si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Pas propozimit zyrtar nga Rama, ndryshimet në qeveri duhet të dekretohen nga presidenti Bajram Begaj dhe më pas të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ndryshimet e propozuara në Qeverinë e Shqipërisë vijnë pas zhvillimeve të fundit për çështjen ndaj Ballukut, e cila është marrë e pandehur për veprën penale "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike".
