BALLKANI

Kryeministri Rama: Pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Balluku do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) si një "akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv"

Fatjon Cuka  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Kryeministri Rama: Pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Balluku do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e gjykatës për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, transmeton Anadolu.

Në konferencën e përbashkët për mediat me komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos, pas samitit mbi Planin e Rritjes të BE-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi çështjen në fjalë, Rama e ka konsideruar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) si një "akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv".

"Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet, kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendës kryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë, që funksionon", është shprehur Rama.

Ai ka theksuar ndër të tjera se "nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti".

"Ky është një rast unikal në historinë e Evropës dhe po ashtu, edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit evropian të vendeve të ish-lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që, një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie", tha ndër të tjera Rama.

Rama theksoi se do ta ruajnë dhe do ta mbështesin pavarësinë e gjyqësorit dhe do ta respektojnë pa kushte vendimin e pezullimit, duke shtuar se do të kërkojnë "mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtetuese".


- Pezullimi nga detyra i zv.kryeministres Belinda Balluku

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të pezullojë nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën "Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Më 20 nëntor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi masat ndaj Ballukut, që sipas vendimit të gjykatës janë caktuar më 19 nëntor. Balluku është e pandehur dhe akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

"Janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi: Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë) dhe ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar", thuhet nga prokuroria.

Më 31 tetor, SPAK konfirmoi akuzën ndaj Ballukut për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Balluku e ka mbajtur postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019 dhe të zv.kryeministres prej korrikut 2022, në qeveritë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın