BALLKANI

Kryeministri Rama për banorët e prekur nga përmbytjet: Do t'i qëndrojmë çdo detyrimi ndaj tyre

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi se deri tani në rang vendi janë numëruar 1.587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe sipas tij prania e ujit është konstatuar në 13.211 mijë hektarë tokë bujqësore

Fatjon Cuka  | 09.01.2026 - Përdıtësım : 09.01.2026
Kryeministri Rama për banorët e prekur nga përmbytjet: Do t'i qëndrojmë çdo detyrimi ndaj tyre Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me banorët e prekur nga përmbytjet e fundit ka deklaruar se do t'i qëndrojnë çdo detyrimi ndaj tyre, raporton Anadolu.

Nën drejtimin e kryeministrit Rama u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u diskutua mbi situatën e krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit.

Rama theksoi se deri tani në rang vendi janë numëruar 1.587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje dhe sipas tij prania e ujit është konstatuar në 13.211 mijë hektarë tokë bujqësore, ndërkohë janë përmbytur edhe disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore.

"Kjo është një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye që lidhet me vendin tonë, por ka prekur një hartë të tërë; nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë dhe deri lart në Serbi e Kroaci; nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë dhe të njëjtat përmbytje e bllokime kanë krijuar të njëjtën situatë të rënduar në tërësi për njerëzit", tha Rama.

Rama tha se dëshiron t'i sigurojë edhe të dëmtuarit e kësaj here se "ne do t'i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë".

Ai tha se puna intensive dhe mobilizimi i pa ndalur ku është nevoja e të gjitha strukturave të shtetit, si dhe e bashkive do të vazhdojë e pandërprerë "deri në kapërcimin e kësaj situate të rënduar meteorologjike".

"Ne kemi një hartë të qartë veprimi në programin e Shqipërisë 2030 për të rritur rezistencën e infrastrukturës në tërësi, karshi këtyre fenomeneve dhe Ministria e Mbrojtjes, duke u inkuadruar në kornizën e re të vendosur nga NATO, ka pjesë të funksionimit të saj dhe elementin pikërisht të qëndrueshmërisë, që lidhet drejtpërdrejtë me infrastrukturën kritike dhe këtu jemi në kushtet kur flasim për infrastrukturën kritike", u shpreh ndër të tjera Rama.

Shqipëria është përfshirë në ditët e fundit nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në disa qytete, ndërkohë është shënuar edhe një i vdekur.

Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytje u raportua në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın