BALLKANI

Kryeministri Rama: Komisioni i Venecias është një partner i pazëvendësueshëm

Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni i Venecias organizuan në Tiranë konferencën me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”

Fatjon Cuka  | 20.10.2025 - Përdıtësım : 20.10.2025
Kryeministri Rama: Komisioni i Venecias është një partner i pazëvendësueshëm Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Komisioni i Venecias është një partner i pazëvendësueshëm, raporton Anadolu.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni i Venecias organizuan në Tiranë konferencën me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, tha në fjalën e tij në aktivitet se Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias janë dy partnerë të çmuar të udhëtimit të Shqipërisë drejt një shoqërie më demokratike, më të drejtë dhe më evropiane.

"Gjatë këtyre tre dekadave Shqipëria ka përjetuar ndryshime të mëdha. Këshilli i Evropës ka qenë një partner kyç dhe një pikë referimi për standardet që kemi ndjekur në ndërtimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Komisioni i Venecias ka shërbyer si një referencë profesionale dhe e paanshme duke ofruar mendim juridik të thelluar dhe të besueshëm", tha ai.

Peleshi u shpreh se Komisioni i Venecias ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në reformën në drejtësi që shënon sipas tij një transformim rrënjësor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e vlerësoi Komisioni e Venecias si një partner të pazëvendësueshëm për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.

"Historia e zhvillimit demokratik në Shqipëri është ngushtësisht e lidhur me historinë e rritjes dhe të forcimit të influencës së Komisionit të Venecias mbi procese që vende si Shqipëria kanë pasur në vazhdimësi nevojën e ndihmës, nevojën e një mbështetjeje mençurie dhe nevojën e një asistenti po themi, se nuk është një gjykatës, por një asistenti bujar dhe të paanshëm të çdo vendi në kërkim të standardeve më të mira", tha Rama.

Rama theksoi se sot Komisioni i Venecias, ndër të tjera, ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e vitit 1998.

Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Besfort Lamallari, në fjalën e tij në konferencë theksoi se sot Shqipëria ka një sistem drejtësie "që po ngrihet mbi themele të forta të pavarësisë dhe integritetit".

Pjesë e aktivitetit ishin edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias.

Aktiviteti u organizua me rastin e 35-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın