Kryeministri Rama: Deri në vitin 2030 bëhemi eksportues të energjisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në prezantimin e projekti për parkun e energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, 600 MW
Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se sot kanë një portofol të energjisë që ka nisur të diversifikohet dhe sipas tij deri në vitin 2030 bëhen eksportues të energjisë, raporton Anadolu.
Rama ishte i pranishëm në prezantimin e projekti për parkun e energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, 600 MW.
Në fjalën e tij në këtë aktivitet Rama tha se edhe ky investim shkon në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë.
Sipas tij Shqipëria është vendi i duhur për të gjithë investitorët për të shërbyer si pikënisje e investimeve madhore që i tejkalojnë kufijtë e vendit.
"Sot ne kemi një portofol që ka nisur të diversifikohet, pra të balancohet ku uji sigurisht do të mbetet burimi kryesor i prodhimit, por ku energjia e diellit dhe e erës kanë filluar të zënë vendin e tyre, vend që deri në fund të kësaj dekade, pra në 'Shqipërinë 2030', do të jetë 30 për qind dhe me këtë 30 përqindësh, ne do të kemi plotësisht të garantuar se sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe çdo gjë që do të prodhojmë përtej nevojave tona, do ta eksportojmë, gjë që do të thotë, jo më para të hedhura jashtë vendit për të blerë energji, por energji e shitur jashtë vendit për të sjellë më shumë të ardhura për ekonominë, për familjet dhe për të nesërmen e vendit tonë", tha Rama.
Ai theksoi ndër të tjera se sektori energjetik është sektori i garave të hapura ndërkombëtare dhe sipas tij i një pranie masive të kompanive me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar në pjesëmarrjen në këto gara.
Parku në fjalë konsiderohet nga Qeveria e Shqipërisë si një zhvillim tejet domethënës në rrugën drejt sovranitetit energjetik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
