Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, Ulutaş
Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit

Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim mirëseardhës komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, gjeneral major Özkan Ulutaş, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Ulutaş diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks mbi situatën e sigurisë dhe për rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë.
Duke i uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë dhe duke i dëshiruar suksese në mandatin e dytë si komandant i KFOR-it, kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit.
Ulutaş u zgjodh për herë të dytë në krye të KFOR-it dhe do jetë në krye të këtij misioni ndërkombëtarë deri në tetor 2026. Ai u bë për herë të parë komandant gjeneral i KFOR-it më 10 tetor 2023.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.