Kryeministri Mickoski kërkon garanci për identitetin dhe gjuhën maqedonase në rrugën e eurointegrimeve
"Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë derisa unë të jem kryeministër, nëse nuk plotësohen minimumi dy kushte", tha Hristijan Mickoski
Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nëse nuk plotësohen të paktën dy kushte, pa të drejta të garantuara për maqedonasit në Bullgari dhe pa garanci se vendi nuk do të përballet me bllokada për arsye subjektive, raporton Anadolu.
Mickoski këtë e deklaroi në seancën e sotme parlamentare për pyetje deputetësh.
"Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë derisa unë të jem kryeministër, nëse nuk plotësohen minimumi dy kushte. Kushti i parë është që komuniteti maqedonas në Bullgari t'i marrë të drejtat e garantuara në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat dhe rezolutat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut", tha ai duke vazhduar:
"Së dyti, derisa të marrim garanci për identitetin tonë maqedonas, për të cilin pres mbështetje nga ju si bashkëqytetarë të mi, për gjuhën time maqedonase, se më nuk do të ketë veto bilaterale dhe se askush më nuk do ta pengojë këtë shtet, i cili shumë herë ka treguar dhe dëshmuar se dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane, ka bërë sakrifica si asnjë shtet tjetër dhe ky popull, këta qytetarë, si asnjë qytetar tjetër në Evropë, se nuk do të ketë sërish nënçmime të reja, poshtërime të reja dhe obstruksione të reja nga kushdo për arsye subjektive".
- Bullgaria në 2020 vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në
Bullgaria në nëntor të vitit 2020 vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, për shkak të kontestit rreth historisë, gjuhës si dhe kërkesës për të drejtat e komunitetit bullgar në vend.
Në korrik të vitit 2022, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet e propozimit francez, në atë kohë mbajtëse e presidencës së Këshillit të BE-së, duke i hapur rrugën procesit të vendit me BE-në.
Po atë vit, për të tejkaluar mosmarrëveshjen, kryediplomatët e asokohe të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan protokoll dypalësh më 17 korrik në Sofje.
Në konkluzionet e Këshillit, ndër të tjera, ishte paraparë që bullgarët të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, pas konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimit zyrtar të negociatave.
Maqedonia e Veriut më 19 korrik 2022 arriti të fillojë negociatat e aderimit me BE-në, duke e mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare, por për shkak të moszbatimit të konkluzioneve nga mungesa e vullnetit politik dhe konsensusit në Maqedoninë e Veriut, procesi eurointegrues i vendit nuk vazhdoi më tej.
Në vitin 2005 Maqedonia e Veriut fitoi statusin e vendit kandidat ndërsa pasi të bëjë ndryshimet kushtetuese, do të fillojë të hapë kapitujt për anëtarësim në BE.
