Kryeministri Kurti zhvilloi takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë
Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i kanë njoftuar ambasadorët për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete
Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë, raporton Anadolu.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE) dhe veprimet afirmative, që institucionet e Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.
Faza e parë e zbatimit, e cila nisi sot, sipas ZKM-së, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore.
“Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese etj. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Tutje, bëhet e ditur se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.
Po ashtu, kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.
Kryeministri Kurti tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë.
Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve.
- Çfarë thonë Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet?
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, gjatë ditës së sotme, lidhur me Ligjin për të Huajt njoftoi se shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë janë të obliguar të posedojnë dokument të vlefshëm udhëtimi, vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, si dhe të respektojnë qëllimin dhe afatin e qëndrimit. Ata duhet të deklarojnë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh nga hyrja në vend, të kenë mjete të mjaftueshme për jetesë dhe të respektojnë ligjet e Kosovës, pa përbërë rrezik për rendin, sigurinë apo shëndetin publik.
Qëndrimi afatshkurtër lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, pa të drejtë punësimi. Çdo qëndrim mbi këtë afat kërkon pajisje me lejeqëndrim. Për punësim në Kosovë, kërkohen lejeqëndrim i përkohshëm për punë dhe leje pune, ndërsa puna pa leje është e ndaluar. Aplikimet për leje pune bëhen pranë Agjencisë së Punësimit.
Për qëllime të tjera si studimi, ribashkimi familjar apo arsye humanitare, kërkohet lejeqëndrim i përkohshëm dhe përmbushje e kushteve ligjore përkatëse. Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të sjellë masa ligjore, përfshirë gjoba, anulim të lejes së qëndrimit, urdhër largimi apo ndalim të hyrjes në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, sipas Ligjit për Automjetet e regjistruara jashtë Kosovës lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës deri në tre (3) muaj nga data e hyrjes. Ky rregull vlen si për shtetasit e huaj, ashtu edhe për qytetarët e Kosovës, me kusht që këta të fundit të kenë të rregulluar qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm jashtë vendit dhe ta dëshmojnë atë kur kërkohet nga autoritetet.
Automjetin me targa të huaja nuk mund ta drejtojë shtetasi kosovar pa praninë e pronarit ose pa autorizimin përkatës nga shteti ku automjeti është i regjistruar. Personat që nuk kanë të rregulluar qëndrimin në shtetin nga ku vjen automjeti lejohen të qarkullojnë vetëm deri në tetë (8) ditë nga hyrja në Kosovë. Po ashtu, drejtimi me patentë shoferi të huaj lejohet deri në një (1) vit nga dita e hyrjes në Kosovë.
Zbatimi i plotë i këtyre rregullave do të nis më 15 mars 2026, ndërsa mosrespektimi i tyre përbën shkelje ligjore dhe do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi për trafikun rrugor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
