Kryeministri Kurti uron komunitetit boshnjak: Ndihem krenar që Kosova është atdhe i boshnjakëve
Kurti tha se roli i boshnjakëve në të gjitha proceset është historik dhe i palëkundur dhe se boshnjakët e Kosovës janë "pjesë përbërëse e pandashme e shoqërisë tonë”

Prishtinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 28 shtatorit, Ditës ndërkombëtare të boshnjakëve, ka uruar qytetarët që i përkasin këtij komuniteti që jetojnë në territorin e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në një organizim në godinën e qeverisë kushtuar kësaj dite, Kurti tha se roli i boshnjakëve në të gjitha proceset është historik dhe i palëkundur dhe se boshnjakët e Kosovës janë "pjesë përbërëse e pandashme e shoqërisë tonë”.
Kurti tha se ndihet krenar që Kosova është "atdhe i boshnjakëve" të cilët me vite kanë dhënë kontribut dhe angazhim në zhvillimin e vendit, përkundër të gjitha sfidave në të kaluarën.
Sipas kryeminisistrit kosovar, komuniteti boshnjak, përveç si pjesë e peizazhit multietnik të Kosovës, luan rol të rëndësishëm edhe si urë kryesore në mes të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, në heqje të vizave, qarkullim normal të njerëzve dhe të kapitalit, deri te njohja dhe ndërtimi i marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, popujt e të cilave, sipas tij, kanë pasur fat të ngjashëm.
"Boshnjakët në këto hapësira, kanë arritur ta ruajnë identitetin e tyre unik, gjuhën e tyre, kulturën dhe traditën e tyre. Ata janë kategori kushtetuese dhe gjuha e tyre mund të përdoret si gjuhë zyrtare", tha kryeministri Kurti.
Zv/kryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, e cila i përket komunitetit boshnjak në Kosovë, falënderoi kryeministrin Kurti për besimin dhe mundësitë që u ka dhënë komunitetit boshnjak për të qenë të përfaqësuar deri në nivelet më të larta institucionale.
Rexhepi tha se komunitetet pakicë në Kosovë duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi për ruajtjen e vlerave kulturore, identitetin, gjuhën dhe kulturën.
“Në këtë ditë feste të përçojmë mesazhe paqeje për ne që jetojmë në Kosovë dhe që bashkërisht të angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë popujt në rajon’’, tha zv/kryeministrja Rexhepi.
Në shënimin e Ditës ndërkombëtare të boshnjakëve ishin të pranishëm ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, zv/shefi i misionit të ambasadës franceze në Prishtinë, Cyprien Francois, ish-zv/shefi i misionit të OSBE-së, z. Kilian Wahl, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Samra Ilijaz, si dhe të ftuar të tjerë.
28 shtatori është Dita ndërkombëtare e boshnjakëve me ç’rast të gjitha shtetet ku ky komunitet jeton organizojnë aktivitete për nder të kësaj dite dhe respektimit të vlerave dhe kulturës boshnjake. Në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2011, jetojnë rreth 27 mijë boshnjakë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.