Kryeministri Kurti takoi në Londër ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad
Kurti dhe Haddad kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale dhe procesin e integrimit evropian

Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, gjatë këtij takimi, Kurti dhe Haddad kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale dhe procesin e integrimit evropian.
“Kryeministri theksoi rolin e rëndësishëm të Francës për sigurinë e Evropës si aktor kyç i Bashkimit Evropian dhe kontributin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar edhe nevojën për dhënien e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për Kosovën”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu bëhet e ditur se në këtë takim Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës dhe për partneritetin mes dy vendeve, duke nënvizuar se vlerat e përbashkëta krijojnë mundësi për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Kurti dhe Haddad janë takuar së bashku edhe në tetor të vitit të kaluar në Forumin Ekonomik të Kosovës në Paris, ku Haddad kishte deklaruar se Franca është një mike e kamotshme e Kosovës dhe si e tillë do të vazhdojë ta mbështesë dialogun e Kosovës me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.